Komandat për zgjidhjen e problemeve në rrjet

“Në qoftë se do të kam një orë për të zgjidhur një problem unë do të shpenzoja 55 minuta duke menduar në lidhje me problemin dhe 5 minuta duke menduar për zgjidhje.” Albert Einstein

A po bëhet Windows si Linux? Ndoshta! Pavarësisht, që nga versioni Windows Server 2008, Microsoft ka ofruar dhe po ofron në versionet e Windows për server edhe ndërfaqësin e linjës së komandës. Si edhe në Windows Server 2008, është korniza PowerShell ajo që i prinë ndërfaqësit me linjën e komandës në Windows Server 2012. Me anë të kësaj kornize, administratorët e sistemeve kanë mundësinë që ti automatizojnë dhe menaxhojnë detyrat në Windows Server 2012. Ndaj në rreshtat në vijim do të listohen disa nga komandat më të përdorura për punë në rrjet sa herë që paraqitet nevoja për të marrë informatën e dorës së parë për zgjidhjen e problemeve të paraqitura.

Komanda ipconfig

Komanda ipconfig (shih figurën 1) përdoret për ta mësuar adresën e protokollit të internetit (IP) të kompjuterit lokal. Krahas adresës së IP, ne marrim edhe informatë për maskën e nën-rrjetëzimit (në Ang. subnet mask) dhe portëkalimin e parazgjedhur (në Ang. default gateway). Sintaksa e komandës ipconfig është:

ipconfig

Figura21

Figura 1. Komanda ipconfig

Komanda ping

Komanda ping (shih figurën 2) kryesisht përdoret për të verifikuar lidhjet fizike në mes të dy kompjuterëve apo edhe në mes të dy rrjeteve kompjuterike qoftë në rrjetet LAN, WAN apo edhe në Internet. Sintaksa e komandës ping është:

ping adresa_e_IP

Figura22

Figura 2. Komanda ping

Komanda getmac

Komanda getmac (shih figurën 3) shfaq adresën fizike të ndërfaqësit të rrjetit të kompjuterit lokal. Sintaksa e komandës getmac është:

getmac

Figura23

Figura 3. Komanda getmac

Komanda hostname

Komanda hostname (shih figurën 4) shfaq emrin e kompjuterit lokal. Sintaksa e komandës hostname është:

 hostname

Figura24

Figura 4. Komanda hostname

Komanda tracert

Komanda tracert (shih figurën 5) përcakton rrugën nga nisja (kompjuteri lokal) e deri tek destinacioni (kompjuteri i skajshëm). Në fakt në këtë shtegtim adresat e shfaqura të protokolleve të internetit (IP) paraqesin ndërfaqësit e rrugëzuesve (në Ang. router) që protokolli ICMP i takon rrugës. Sintaksa e komandës tracert është:

tracert emri_i_domenit

Figura25

Figura 5. Komanda tracert

Komanda netstat

Komanda netstat (shih figurën 6) paraqet informatat si: lidhjet TCP, portat, statistikat e Ethernet, tabelën e itinerarit të IP, statistikat e IPv4 dhe të IPv6. Sintaksa e komandës netstat është:

netstat

Figura26

Figura 6. Komanda netstat

Komanda net share

Komanda net share (shih figurën 7) shfaq të gjitha resurset e përbashkuara në kompjuterin lokal. Sintaksa e komandës net share është:

net share

Figura27

Figura 7. Komanda net share

Komanda nslookup

Komanda nslookup (shih figurën 8) shfaq informatat e infrastrukturës së Domain Name System (DNS) në rrjetin lokal. Sintaksa e komandës nslookup është:

nslookup

Figura28

Figura 8. Komanda nslookup

Komanda route

Komanda route (shih figurën 9) shfaq dhe mundëson modifikimin e tabelës së itinerarit të adresës lokale të IP. Sintaksa e komandës route është:

route

Figura29

Figura 9. Komanda route

Komanda whoami

komanda whoami (shih figurën 10) shfaq emrin e domenit dhe emrin e prëdoruesit aktual. Sintaksa e komandës whoami është:

whoami

Figura30

Figura 10. Komanda whoami

Komanda winver

Komanda winver (shih figurën 11) nuk është komandë që i përket kategorisë së rrjetit. Në fakt është komandë më shumë informative meqë shfaq informatat në lidhje me sistemin operativ aktual. Sintaksa e komandës winver është:

winver

Figura31

Figura 11. Komanda winver

Konkluzioni

Të gjithë ata përdorues të kompjuterit të cilët kanë përvojë me sistemin e hershëm operativ MS DOS janë të familjarizuar me ndërfaqësin e linjës së komandës ndaj nuk ju paraqet problem të punojnë me komandat në sistemin operativ Windows Server 2012. Për më shumë, tashmë Microsoft secilin sistem operativ për server krahas me ndërfaqësin e bazuar në grafik po e shoqëron edhe me ndërfaqësin e linjës së komandës. Atëherë, nëse deri më tani e keni anashkaluar apo nuk keni shfaq interesim për administrim të serverit përmes komandave, mbase është koha të filloni ta përdorni PowerShell.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Përse koha në pingun tim është shumë e lartë?

Pyetje: Në rrjetin tim shtëpiak thuajse çdo herë që bëjë ping në Internet koha e pingut është shumë e lartë. Më intereson të dijë cili është problemi?

Besimi

Përgjigje: I nderuari Besim, faleminderit për pyetjen tuaj!

Për të ofruar një përgjigje të saktë në pyetjen tuaj, duhet ditur më shumë informatë në lidhje me atë se:

– që kur problemi është paraqitur?

– me cilët server të uebit në Internet ju paraqiten kohët e larta të pingut?

– a e keni kontaktuar ISP (ofruesin e shërbimeve të Internetit) tuaj në lidhje me këtë?

Pavarësisht, gjeni në vijim disa nga faktorët që mund të shkaktojnë një rritje të kohëve të pingut.

Fillimisht, të shohim se çfarë është komanda ping?

Mendohet se ping është shkurtesë e Packet InterNet Groper, apo siç ekziston edhe mendimi tjetër se ping është emërtimi i tingullit që lokatori i zërit e prodhon. Pavarësisht, të dhënat në Internet tregojnë se ping është një nga veglërit e hershme të rrjeteve kompjuterike përfshi edhe Internetin që kryesisht është përdorur për të verifikuar lidhjet fizike në mes të dy kompjuterëve apo edhe në mes të dy rrjeteve kompjuterike qoftë në rrjetet LAN, WAN apo edhe në Internet.

Komanda ping i përdorë dy format e protokollit për kontrollin e mesazheve në Internet (ICMP) si: kërkesa për jehonë (në Ang. echo_request) dhe përgjigja nga jehona (në Ang. echo_reply). Kështu në praktikë, komanda ping shoqërohet nga një adresë e IP apo emër i kompjuterit të skajshëm ashtu që ICMP i cili është pjesë e pakëtit të IP që operon në shtresën e tretë të modelit OSI, dërgon një paketë të vogël deri tek kompjuteri i skajshëm i cili duhet të përgjigjet duke e kthyer paketën e vogël mbrapa. Dërgimi i paketës së vogël nga ana e ICMP bëhet përmes kërkesës për jehonë, ndërsa kthimi i paketës së vogël nga kompjuteri i skajshëm bëhet përmes përgjigjes nga jehona të ICMP që ndryshe njihet edhe si pong. Ndaj mos të habitemi nëse themi se komanda ping me anë të paketave luan ping-pong me kompjuterin e skajshëm. Gjithashtu, një analogji tjetër e komandës ping është rasti kur ndodhemi në ambiente që gjenerojnë jehonë të zërit ashtu që sa herë që lëshojmë zërin në formë të thirrjes, si përgjigje dëgjojmë po zërin tonë nga jehona që kthehet. Në figurën në vijim është dhënë komanda ping me elementet shoqërues.

Figura 1. Komanda ping
Figura 1. Komanda ping

Nga figura 1 vërejmë se kemi iniciuar komandën ping deri tek adresa e IP 127.0.0.1, që në fakt është adresa e rezervuar për të testuar pakon e protokollit TCP/IP në ndërfaqësin e rrjetit të kompjuterit lokal, me madhësi të së dhënës së transmetuar prej 32 bajt. Nga katër paketa të dërguar (echo_request), po katër paketa janë kthyer (echo_reply) që tregon se nuk ka humbje në transmetim. Kohët si minimale dhe maksimale tregojnë kohëzgjatjen e përgjigjes, ashtu që mesatarja e tyre paraqet gjendjen latente të rrjetit që do të thotë kohëzgjatja e përshkimit të rrugës së paketit nga dërguesi e deri tek pranuesi dhe anasjelltas.

Nga ato që u thanë më sipër për komandën ping, përgjigja për të evituar vonesat e larta në transmetim do të ishte si në vijim:

  • të verifikohet drajveri i ndërfaqësit të rrjetit në kompjuter
  • të kontrollohet a punon pako e protokollit TCP/IP në ndërfaqësin e rrjetit në kompjuter
  • të përdoren ndërfaqësit me kabllo si edhe të verifikohet kabllo që ndërlidhë kompjuterin me pajisjen qendrore
  • të verifikohet pajisja qendrore, posaçërisht të rishikohet konfigurimi nëse është ndërrues (në Ang. switch) i menaxhueshëm
  • të rishikohet konfigurimi në rrugëzues (në Ang. router), nëse ka të tillë në rrjetin tuaj
  • të kontaktohet ofruesi i shërbimeve të Internetit nga ku merrni shërbime në Internet ashtu që të verifikohet ana tjetër e rrjetit (në këtë rast rrjeti i ISP)
  • natyrisht që ekzistojnë edhe faktorë në anën e serverit të uebit me të cilin ju synoni të komunikoni që ndikojnë në vonesat e larta në transmetim ndaj bëni mirë të kontaktoni përkrahjen teknike të tyre (serverit të uebit nga ku e merrni shërbimin)
  • si dhe praktika të tjera që mund të jenë të dëshmuara nga forumet e rrjeteve kompjuterike në Internet

Shpresoj të jetë përgjigje e duhur për pyetjen tuaj.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Si punon Interneti?

A e keni pyetur veten ndonjëherë se si punon Interneti? Se si punon një router? Se çfarë ngjyre ka një pako e IP dhe se si udhëton ajo paketë nëpër një firewall?

Të gjitha këto përgjigje dhe shumë të tjera se si punon Interneti, do ti gjeni në filmin “Warriors of the Net” të TNG Medialab. Ky film ofrohet në disa gjuhë dhe paraqet një mundësi të mirë për tu njohur me punën e Internetit. Por më e mira e këtij filmi është se ky film ofrohet falas.

Shpresoj që video materiali në video blog të jetë informuese për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi