Arena e madhe e Internetit

Ne jemi ende minutat e para të ditës së parë të revolucionit të Internetit.” Scott Cook

Disa e quajnë rrjetë e rrjeteve kompjuterike, e disa të tjerë rrjeti më i madhe global i informacionit dhe komunikimit. Pavarësisht, është Interneti ky rrjet i merimangës që ka mbuluar globin dhe ka prekur çdo sferë të jetës së individit dhe të bizneseve. Në vijim do të njihemi për së afërmi me të shkuarën e Internetit, siç edhe do të shpalosim shërbimet më të përdorura në Internet.

Na ishte njëherë…

Historinë e Internetit nuk e shpjegon askush më mirë se vetë Interneti! Gjithçka nisi si dëshirë e qeverisë së ShBA për të ndërtuar një rrjetë komunikuese të qëndrueshme dhe tolerante-në-defekte përmes rrjetit kompjuterik. Kështu, në vitet e ’60-ta DARPA u bë projekti i parë hulumtues i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA që do të merrej me hulumtimin dhe zhvillimin e këtij rrjeti komunikues. Përfshirja e qendrave hulumtuese si edhe e institucioneve akademike në projektin DARAPA së bashku me të arriturat zhvillimore që ishin bërë aso kohe, bëri që ky projekt gradualisht të evoluon në ARPANET dhe MILNET. Përderisa projekti MILNET kishte për detyrë të përkrah kërkesat operacionale, projekti ARPANET mori përsipër të përkrah nevojën për hulumtim (InternetSociety.org). Nga viti 1962 e deri më 1985, Interneti kishte ndërtuar tashmë profilin e tij duke përmbledhur në karakterin e tij të arriturat si:

  • realizimi i rrjetit të parë kompjuterik të hapësirës së gjerë (SRI , Universiteti i Jutas, UC Santa Barbara dhe UCLA)
  • përcaktimi i arkitekturës së hapur teknologjike të prirura nga kalimi i paketave (në Ang. packet-switching),
  • përcaktimi i pakos së protokollit TCP/IP për komunikim,
  • përcaktimi i adresave të IP në formatin 32-bit,
  • realizimin e shërbimit të e-Postës,
  • standardizimin e dokumenteve për mbajtjen e shënimeve të quajtura Kërkesë për Komente (RFC),
  • përcaktimi i protokolleve si: DNS, IGP, EGP, FTP dhe të tjerë,
  • themelimi i organizmave si IETF që merret me standardizimin e protokolleve dhe ICANN që merret me mirëmbajtjen e ndërveprimit përmes emrave të domeneve, adresave të IP, numrat e porteve për aplikacione dhe të parametrave të tjerë,
  • shtrirje globale në shtatë kontinente,
  • si edhe shumë e shumë të arritura të tjera.

Nga ARPANET te Internet

Sipas InternetSociety.org, më 24 Tetor 1995 Këshilli Federal për Rrjete (FNC) përmes rezolutës paraprakisht të konsultuar me anëtarët e komunitetit të internetit dhe të drejtave intelektuale definoi termin Internet. Sipas kësaj rezolute, Interneti i referohet sistemit global të informacionit i cili:

  • është logjikisht i ndërlidhur nga hapësira globale e adresave unike të bazuara në protokollin e Internetit (IP) ose të përditësimeve të tij të mëvonshme,
  • është në gjendje të përkrah komunikimin përmes pakos së protokollit TCP/IP ose të përditësimeve të tij të mëvonshme si dhe protokolleve tjera të pajtueshme, dhe
  • i ofron, i përdorë dhe i bën të arritshme, qoftë publikisht ose privatisht, shërbimet e nivelit të lartë të shtresuara në komunikime dhe infrastrukturës së ndërlidhur të përshkruar në këtë dokument.
Figura 1. Infrastruktura globale e Internetit (Delany & Co., 2015)
Figura 1. Infrastruktura globale e Internetit (Delany & Co., 2015)

Kështu, duke u nisur nga thënia “çdo fillim i ri paraqet një fund të një fillimi të mëparshëm”, edhe paraqitja e Internetit në skenën e rrjetave kompjuterike globale zyrtarisht shënoi përfundimin e epokës së artë të ARPANET. Ndaj kur jemi tek Interneti, nga perspektiva gjuhësore autorët gjithandej globit sugjerojnë që sa herë që e përdorim fjalën Internet në cilësinë e emrit atëherë duhet ta shkruajmë me shkronjë të madhe në fillim, ndërsa sa herë që e përdorim në cilësinë e mbiemrit duhet ta shkruajmë me shkronjë të vogël në fillim.

Shërbimet në Internet

Pa dyshim që arena e madhe e Internetit është e stërmbushur me shërbime nga më të ndryshmet si në përmbajtje e po ashtu edhe në funksionalitet. Në vijim do të përmendim disa nga shërbimet më të njohura në Internet në të kaluarën dhe sot.

  • telnet – shërbim i qasjes nga distanca
  • ndarja e skedarëve (FTP) – shërbim për ndarjen e skedarëve në Internet
  • e-Posta (e-Mail) – shërbim për dërgimin dhe pranimin e postave (porosive) elektronike
  • usenet – shërbim i bisedave të postuara dhe ndarjes së skedarëve
  • bisedat e Internetit në stafetë (IRC) – shërbim i bisedave në kohë reale
  • gjuha shënuese hipertekstuale (HTML) – gjuha programuese për përpilimin e faqeve dhe sajteve të uebit
  • rrjeti mbarë botëror (WWW) – shërbimi i sistemit të ndërlidhur të dokumenteve të hipertekstit
  • ditari në Internet (blog) – një sajt i uebit që përmban një ditarë elektronik
  • tregtia elektronike (e-Commerce) – shërbim i shitblerjes përmes Internetit

Konkluzioni

Historia e njerëzimit nuk njeh ndonjë të arritur tjetër teknologjike më të madhe sesa Interneti. Përderisa e shkuara e Internetit na paraqitet shumë dinamike dhe me përkushtim, e ardhmja e tij duket sa sfidues po aq edhe intriguese. Projekjet si Internet2, Internet of Things, Internet of Everything etj., janë vetëm disa nga përpjekjet për ta avancuar Internetin ekzistues. Pavarësisht, Interneti vazhdon të jetë platforma më masive e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Shtojcë: Tabla e figurave

Në vijim është paraqitur tabela e cila përmban burimet e figurave të përdorura në këtë artikull.

Figura 1 http://www.delanyco.com/2015/06/05/the-internet-trends-report-2015/