Windos Server 2012: Virtualizimi me anë të Hyper-V

“Nëse nuk jeni i mirë në teknologjinë e informacionit, aspak më i mirë nuk do të jeni as me Virtualizimin.” Steve Chambers

Sipas fjalorit Merriam-Webster etimologjia e fjalës “virtual” rrjedh nga fjala latine “virtus”, ndërsa po sipas këtij fjalori definicioni për fjalën “virtual” është “të ekzistoj në esencë apo në të vërtetë sado që formalisht nuk njihet ose pranohet.” Ndërsa sipas autorit Alan Freedman në “The Computer Desktop Encyclopedia” fjala “virtual” definohet si “një mbiemër që shpreh një gjendje të pakufishme dhe pa përmbajtje.” Përmes rreshtave në vijim do të shpalosim konceptin virtual nga perspektiva e Microsoft përmes Windows Server 2012 dhe rrethinës së tij për virtualizim Hyper-V.

Na ishte njëherë…

Gjithçka filloi ne vitet e 60-ta kur IBM po eksperimentonte me sistemin IBM M44/44X. Ishin inxhinierët e IBM që të parët përdorën termin virtualizim për të realizuar një platformë kompjuterike simuluese të quajtur makinë virtuale e cila përbëhej nga softueri nikoqir apo programi kontrollues si dhe nga softueri mysafir. Kështu, lindi koncepti i virtualizimit me anë të cilit u bë e mundur që në një platformë harduerike të vetme të realizohet një makinë virtuale e cila do bënte të mundur simulimin e më shumë se një softueri mysafir ku secili nga këta do të ekzekutohej në mënyrë ta pavarur nga tjetri. Si rrjedhojë e këtij inovacioni, IBM në vitin 1966 me anë të sistemeve IBM CP-40 dhe IBM CP-67 demonstroi konceptin e quajtur virtualizim i plotë. Në vitin 1974, në gjeneratën e tretë të makinave kompjuterike, Popek dhe Goldberg vendosen definicionin për makinën virtuale duke e quajtur atë dublikatë efikas i izoluar i makinës reale. Ishte kjo periudha kur kompjuterët po drejtoheshin nga qarqet e integruara të cilat më vonë do të njihen me emrin procesorë apo mikroprocesorë. Ne gjeneratën e katërt, shpikja e mikroprocesorit bëri të mundshëm prezantimin e minikompjuterëve në fund të viteve të 70-ta, të cilët pastaj do t’ua hapin rrugën mikrokompjuterëve të cilët sot i njohim me emrin kompjuterët personal. Të gjitha këto zbulime si dhe shumë të tjera si në aspektin harduerik ashtu edhe atë softuerik mundësuan që koncepti i virtualizimit të mos mbetet thjeshtë vetëm një koncept historik por te formësohet dhe shtrihet gjithandej botës së teknologjisë informative si:

  • në rrjetet kompjuterike (virtualizimi i rrjeteve kompjuterike),
  • në sistemet operative (virtualizimi i kujtesës),
  • në aplikacione softuerike (virtualizimi i aplikacioneve),
  • në teknologjitë për ruajtjen e të dhënave (virtualizimi i disqeve),

Metodat e virtualizimit të serverëve

Në ditët e stome, në përgjithësi njihen tri metoda të implementimit të virtualizimit të serverëve:

  1. Emulacioni i sistemit operativ – mundësia e ekzekutimit të izoluar dhe të sigurt të një apo më shumë sistemeve operative në një server fizik të vetëm në të cilin softuerët mysafirë përdorin resurset të njëjtin softuer mikpritës. Disa nga aplikacionet për virtualizim të këtillë janë: Solaris Containers, SWsoft, etj.
  2. Emulacioni i harduerit – mundëson fshehjen e karakteristikave fizike te sistemit kompjuterik nga përdoruesit duke e shfaqur një platformë tjetër abstrakte me qëllim që të ekzekuton softuerin në një mjedis të ndarë nga resurset harduerike thelbësore. Aplikacionet me të shquara për emulacion të harduerit janë: VMware, Hyper-V dhe VM VirtualBox.
  3. Paravirtualizimi – është metodë e virtualizimit në të cilin ofrohet ndërfaqës softuerik për makinën virtuale e cila nuk simulon harduerin por ofron API të posaçëm për të modifikuar softuerin mysafir. Vlen të përmenden këtu aplikacionet për virtualizim si: Xen, VMware ESX, etj.

Çfarë është Hyper-V?

Si pasardhës i Windows Virtual PC, Hyper-V u prezantua si pjesë përbërëse e sistemit operativ Windows Server 2008. Që atëherë, edhe pse në moshë më të re sesa konkurrentët e tij, sërish ka arritur të përfitoj simpatinë e administratorëve të sistemeve gjithandej globit duke u renditur si i dyti në tregun botëror të platformave për virtualizim. Fakti që nga pjesa e mësipërme mësuam historikun dhe përkufizimin e virtualizimit, është e arsyeshme të formulojmë pyetjen se çfarë është Hyper-V? Meqë po flasim për shërbimet e sistemit operativ Windows Server 2012, atëherë natyrshëm në kuptimin e përgjithshëm do të përgjigjemi që Hyper-V si edhe çdo shërbim tjetër në këtë sistem operativ është shërbim i cili mundëson realizimin e një rrethine virtuale. Nga aspekti specifik, gjithnjë sipas Microsoft, Hyper-V ofron shërbimin të cilin mund të përdorni për ti realizuar dhe menaxhuar makinat virtuale dhe burimet e tyre. Kështu, secila makinë virtuale paraqet një sistem kompjuterik të virtualizuar që operon në një mjedis ekzekutues të izoluar. Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur të ekzekutohen sisteme operative të shumta njëkohësisht.

Arkitektura e Hyper-V është e bazuar në formatin hierarkik apo të niveleve ku në nivelin e parë qëndron hipervizori si elementi kryesor i Hyper-V i cili përbën platformën virtuale. Në mënyrë që hipervizori të akomodohet në kompjuterin nikoqir kërkohet që ky kompjuter të përkrah teknologjitë e virtualizimit të cilat janë të bazuara në procesor si p.sh. Intel VT dhe AMD Virtualization. Kështu, hipervizori akomodohet në pjesën rrënjë dhe ka qasje të drejtpërdrejtë në pajisjet harduerike. Pjesa rrënjë më pastaj realizon pjesët degë që paraqesin mjediset ekzekutuese të izoluara. Pjesa degë paraqet njësinë logjike të izolimit e cila nuk ka qasje në pajisjet harduerike. Pastaj, në këto pjesë do të jetë e mundur të ekzekutohen sistemet operative mysafire. Janë komponentët Virtualization Service Providers (VSP) dhe Virtualization Service Consumers (VSC) që përmes kanalit logjik për komunikim në-mes-të-pjesëve VMBus bëjnë të mundur komunikimin në mes të pjesës rrënjë dhe pjesëve degë.

Si ta instaloni Hyper-V?

Tashmë që jeni njohur me thjeshtësinë e përdorimit të panelit Server Manager kur bëhet fjalë për shtim të roleve në Windows Server 2012, mjafton të klikoni në ikonën apo kuadratin e tij dhe të nisni procesin e shtimit të rolit apo të instalimit të Hyper-V. Pasi të jetë shfaqur ndërfaqësi i panelit Server Manager, klikoni tek vjegëza Add Roles and Features në pjesën e Welcome to Server Manager të panelit Server Manager. Kështu, ju keni nisur ekspertin për shtimin e roleve dhe të tipareve në server si në figurën 1. Me anë të klikut në butonin Next dhe atë disa herë në mënyrë të njëpasnjëshme ju do ta përmbyllni me sukses procesin e shtimit të Hyper-V në serverin tuaj.

Figura19

Figura 1. Shtim i rolit të Hyper-V në Windows Server 2012

Ndërfaqësi i Hyper-V Manager

Mbase është thjeshtësia e këtij ndërfaqësi që ka bërë të fiton simpatinë e administratorëve të sistemeve! Ndërfaqësi i Hyper-V Manager është i thjeshtë dhe funksional si në figurën 2 dhe përbëhet nga:

  • paneli pemë – paraqet serverin apo serverët fizikë në të cilët është akomoduar hipervizori (Hyper-V)
  • makinat virtuale – këtu do të shfaqen makinat virtuale të realizuara nga ju apo të importuara
  • fotografia e çastit – regjistrim i parametrave të nevojshëm për restaurim të një apo më shumë makinave virtuale
  • paneli për veprim – opsionet e nevojshme për të punuar me makinat virtuale

Figura20

Figura 2. Ndërfaqësi i Hyper-V Manager në Windows Server 2012

Konkluzioni

Edhe përkundër faktit që kërkohet harduer më i fuqishëm, konsum më i madh i energjisë, numër më i madh i sistemeve për ftohje, hapësirë më e madhe për ruajtjen e të dhënave, procesorë më të shpejtë, kujtesë më e madhe, ndërfaqës të shumtë të rrjetit si dhe karakterizohen me shkallëzim të ngadaltë dhe siguri të luhatshme; sërish virtualizimi mbetet zgjedhja Nr. 1 e bizneseve kur bëhet fjalë për realizim te sistemeve informative me qëllim të ofrimit të shërbimeve në rrjet. Të thuhet se është kostoja ajo që i detyron bizneset te bëjnë një zgjedhje të këtillë, duket sikur nuk paraqet një argument të fuqishëm për këtë pohim! Vlen të përmendet, se virtualizimi gjatë gjithë këtyre dekadave dhe viteve dëshmoi se din te shtynë përpara proceset e biznesit, ne veçanti të krijon platformë të shëndoshë për teknologjitë qe do vijnë. Një nga ato teknologji qe po priten me shume kureshtje nga bizneset është edhe cloud computing. Kjo bën që e ardhmja e virtualizimit të jetë më se e garantuar!

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Bekim Dauti’s Blog | Bekim Dauti’s Vlog

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s