Cisco Packet Tracer: Bota e Rrjeteve Kompjuterike Virtuale në Kompjuterin Tuaj

“Interneti po bëhet shesh qyteti për fshatin global të së nesërmes.” Bill Gates

Përderisa sistemet e rrjeteve vazhdojnë të evoluojnë për nga kompleksiteti, nga dita në ditë po shfaqen programe dhe veglëri mësimore të reja me qëllim të lehtësimit të procesit të mësimdhënies dhe të studimit të teknologjisë. Sot, studentët që synojnë të zotërojnë shkathtësitë nga fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit përfitojnë nga mundësia e qasjes së programeve mësimore në linjë dhe nga mundësitë e reja si mësimi shoqëror, bashkëpunimi dhe konkurrimi.

Për afro dy dekada, Akademia e Rrjeteve të Cisco së bashku me akademitë nga mbarë bota punoi për të pajisur studentët me një qasje të qëndrueshme dhe lokalisht të përshtatshme për mësimin e aftësive teknologjike. Misioni parësorë i Akademisë së Rrjeteve është të përmirësojë mundësitë ekonomike dhe të karrierës me qëllim që të ndikojë në mënyrë pozitive në jetët e individëve dhe të komunitetit.

Packet Tracer është softuer gjithëpërfshirës për studim dhe mësimdhënie të teknologjisë së rrjeteve dhe pjesë përbërëse e programit mësimorë të CCNA Routing & Switching dhe CCNA Security të Akademisë së Rrjeteve të Cisco. Ky aplikacion ofron mundësi simulimi, vizualizimi, autorësie, vlerësimi dhe bashkëpunimi të jashtëzakonshme me çka procesin e mësimit dhe të mësimdhënies së teknologjisë të rrjeteve e bënë akoma më të lehtë duke simuluar në mënyrë vizuale mjediset e rrjeteve të vërteta. Packet Tracer ofron mundësi për bashkëpunim, realizim të aktiviteteve dhe përshtatje të detyrave thelbësore të studimit, duke bërë të mundur që instruktorët dhe studentët të ndërtojnë “botën e rrjeteve virtuale” të tyre për mësimdhënie dhe studim të koncepteve dhe teknologjive të rrjeteve.

Figura 1. Cisco Packet Tracer (Netacad, 2015)

Figura 1. Cisco Packet Tracer (Netacad, 2015)

Aktivitetet e ndërfutura të Packet Tracer ofrojnë një mjedis efektiv dhe interaktiv për studimin e koncepteve të rrjeteve dhe protokolleve të nivelit të CCNA. Nga udhëzimet dhe laboratorët e deri te punët përgatitore dhe konkurrimi, Packet Tracer i kapërcen kufijtë e studimit tradicional duke e shtri klasën në një botë virtuale të kërkimit, eksperimentimit dhe të shpjegimit.

Çfarë ofron Packet Tracer?

Packet Tracer ofron një kombinim unik të simulimeve reale dhe përvojave të vizualizimit, vlerësimeve komplekse dhe aktiviteteve me mundësi autorësie si dhe mundësi bashkëpunimi dhe konkurrimi për përdorues të shumtë:

  • e bënë mësimdhënien më të lehtë duke ofruar një mjedis pa pagesë dhe me përdorues të shumtë për instruktorët në mënyrë që më lehtë ti ligjërojnë konceptet teknike të ndërlikuara,
  • e bënë studimin më të lehtë duke ofruar mjedis për simulime reale dhe vizualizimi
  • Jep mundësinë e autorësisë të aktiviteteve të studimit, detyrave, laboratorëve dhe vlerësimeve komplekse,
  • ndihmon në leksione, laboratore të individit dhe grupit, detyrat e shtëpisë dhe konkurrim,
  • lejon studentët dhe instruktorët të projektojnë, ndërtojnë, konfigurojnë, dhe zgjidhin problemet e rrjeteve përmes pajisjeve virtuale,
  • plotëson pa i zëvendësuar pajisjet reale dhe jep mundësi të zgjerimit të studimit përtej kufizimeve fizike të mësimit në klasë,
  • simulon risitë e vazhdueshme teknologjike të aktivitetit dhe logjikës themelore të rrjetit,
  • i jep mundësinë studentëve ti studiojnë konceptet, të bëjnë eksperimente, dhe ti testojnë njohuritë e tyre,
  • promovon mësimin shoqëror përmes aplikacionit të aftë-për-rrjet (peer-to-peer) me mundësi të konkurrimit të përdoruesve të shumtë, bashkëveprimit në distancë instruktor-student, argëtim dhe rrjetëzim shoqëror,
  • mundëson studim jashtë klasës përmes përcaktimit të vetë ritmit,
  • i përkrah dhe i simulon protokollet e tanishëm të përdorur në industri dhe sistem qeverisës duke përfshi edhe shumicën e komandave nga niveli i CCNA,
  • etj.

Si punon Packet Tracer?

Packet Tracer ofron një radhë të gjerë të mundësive për instruktorët që të demonstrojnë konceptet e rrjeteve. Edhe pse Packet Tracer nuk është zëvendësues i pajisjeve të vërteta, sërish u jep mundësinë studentëve të ushtrojnë duke përdorur ndërfaqësin me komanda të Cisco Internetwork Operating System (IOS) dhe ndërfaqësin grafik i bazuar në principin e punës tërheq-dhe-lësho për zgjidhje të problemeve duke përdorur pajisjet virtuale për rrjete. Kjo mundësi praktike paraqet komponentën thelbësore të të mësuarit të konfigurimit të switch-ave dhe router-ave përmes ndërfaqësit me komanda. Studentët shohin mundësitë e konfigurimit dhe të lidhjes së harduerit të rrjeteve përderisa ata miratojnë projektimin e sistemeve. Instruktorët mund të formojnë aktivitetet e tyre vetë-vlerësuese të cilat ua paraqesin rezultatet e menjëhershme studentëve gjatë testimit të aftësive të tyre në kompletimin e detyrave.

Figura 2. Ndërfaqësi i Cisco Packet Tracer (Netacad, 2015)

Figura 2. Ndërfaqësi i Cisco Packet Tracer (Netacad, 2015)

Tiparet kryesore të Packet Tracer:

Hapësirat Punuese të Packet Tracer: Packet Tracer ka dy hapësira pune: logjike dhe fizike. Hapësira logjike lejon përdoruesit të ndërtojnë topologjitë logjike të rrjeteve duke vendosur, lidhur dhe grumbulluar pajisjet virtuale të rrjeteve. Hapësira fizike i ofron dimensionin fizik rrjetës logjike, duke i shtuar ndjenjën e shkallëzimit dhe të vendosjes të pajisjeve të rrjetit si router-at, switch-at dhe host-at do të dukeshin në mjedisin e vërtetë. Gjithashtu, jep mundësinë e paraqitjes gjeografike të rrjeteve, duke përfshirë qytete, ndërtesa dhe dollape të shumta.

Regjimet e Punës së Packet Tracer: Packet Tracer përdorë dy regjime pune për të parashikuar mënyrë e sjelljes së rrjetit: regjimin e kohës reale dhe regjimin simulues. Në regjimin e kohës reale rrjeti funskionon ashtu siç edhe pajisjet e vërteta funksionojnë me reagim në kohë reale të menjëhershëm për të gjitha aktivitete e rrjetit. Në regjimin simulues përdoruesi mund të shohë dhe kontrollojë intervalet kohore, punët e brendshme të transferit të të dhënave, dhe përhapjen e të dhënave përtej rrjetit. Kjo u ndihmon studentëve të kuptojnë konceptet thelbësore që qëndrojnë prapa funksionimit të rrjetit.

Doracakët: Përdoruesi njihet nga afër me veçoritë e produktit dhe njëkohësisht u mësojnë përdoruesve në formatin hap-pas-hapi mënyrat e realizimit të simulimeve.

Ndihma: Përdoruesit njihen nga afër me ndërfaqësin, funksionet dhe tiparet e Packet Tracer. Ilustrimet me fotografi përdoren për të ngritur nivelin e kuptueshmërisë. Gjithashtu përmban edhe shënime dhe këshilla të rëndësishme.

Pajisjet Modulare: Simulon harduerin në mënyrë vizuale dhe ofron mundësitë për ndërfutjen e kartelave të ndërfaqësve në router-a dhe switch-a modular të cilët pastaj bëhen pjesë e simulimit.

Protokollet: Packet Tracer përkrah HTTP, Telnet, SSH, TFTP, DHCP dhe DNS; TCP dhe UDP; IPv4, IPv6, ICMPv4 dhe ICMPv6; RIP, EIGRP, OSPF me hapësira të shumta, rrugëtimin statik dhe rishpërndarjen e rrugës; Ethernet/802.3, 802.11, HDLC, Frame Relay dhe PPP; ARP, CDP, STP, RSTP, 802.1q, VTP, DTP, PAgP, etj.

Funksionaliteti i Përdoruesve të Shumtë: Packet Tracer është aplikacion i aftë-për-rrjet, me formë peer-to-peer për shumë përdorues që mundëson bashkëpunim në konstruktimin e rrjeteve virtuale përgjatë rrjetit real. Veçoria e përdoruesve të shumtë lejon bashkëveprim konkurrues, duke mundësuar opsionin për të përparuar nga mësimi individual në atë shoqërorë me anë të tipareve për bashkëpunim, konkurrim, bashkëveprim në distancë instruktor-student, rrjetëzim shoqëror dhe argëtim.

Eksperti i Aktiviteteve: I mundëson përdoruesit të bëhet autorë, të vendosë planet e veprimit, të shton tekstin mësimor, të krijon topologjitë e hershme dhe ato përfundimtare, të klasifikon dhe të gjeneron rezultatet.

Si ta shkarkoni Packet Tracer?

Nga këndvështrimi i mundësive, Packet Tracer ofron funksionin për klasifikimin e laboratorëve, përkrahjen për gjuhët ndërkombëtare, përkrahjen për shumicën e protokolleve dhe teknologjive të cilat mësohen në programet mësimore vijuese: CCNA Routing & Switching dhe CCNA Security. Gjithashtu, mund të përdoret për mësim të koncepteve në IT Essentials dhe CCNP.

Packet Tracer është i pajtueshëm me platformat vijuese: Windows dhe Linux. Gjithashtu, përkrah të gjitha aktivitet e realizuara në versionet e më hershme të Packet Tracer.

Packet Tracer është në dispozicion të instruktorëve, studentëve dhe alumnive të Akademisë së Rrjeteve të Cisco. Në qoftë se ju jeni njëri nga të sipër përmendurit dhe deri më tani akoma nuk e keni shkarkuar (instaluar dhe përdorur, gjithashtu!) Packet Tracer, atëherë të njëjtën mund ta bëni duke u loguar në sajtin e uebit të Akademisë së Rrjeteve të Cisco.

Figura 3. Si ta shkarkoni Cisco Packet Tracer? (Netacad, 2015)

Figura 3. Si ta shkarkoni Cisco Packet Tracer? (Netacad, 2015)

Konkluzioni:

Me pak fjalë mund të konkludojmë se Packet Tracer është i lehtë për përdorim dhe njëkohësisht shumë praktikë. Në këtë mënyrë, lehtë, shpejtë dhe pa pagesë instruktorët dhe studentët e Akdemisë së Rrjeteve të Cisco nga e mbarë bota pa pas nevojë të ndodhen fizikisht në klasë dhe pas nevojë të shpenzojnë para në blerjen e pajisjeve të vërteta të rrjetit, pa mund të madh të madh mendorë dhe fizik do të mund të projektojnë rrjetet kompjuterike virtuale të tyre. Të jeni të sigurtë se nuk do të zhgënjeheni nga Packet Tracer!

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s