Sistemet vetëshëruese!

“Një nga burimet e lumturisë sime është fakti që kurrë nuk merrem me punët e të tjerëve.” – Dolley Madison

Ju kujtohet mbase filmi “Terminator 2: Judgment Day” dhe roboti me veti vetëshëruese! Dy dekada me parë padyshim që një gjë e tillë s’ishte gjë tjetër vetëm se një film fantastiko-shkencorë dhe një hipotezë shkencore. Sot gjërat kanë ndryshuar, të arriturat teknologjike, të paktën në nivelin e hulumtimeve dhe jo në produktet e gatshme dëshmojnë se janë zbuluar materiale që përmbajnë veti vetëshëruese. Me një fjalë, materiale që imitojnë lëkurën e njeriut. A e imagjinoni dot faktin që pa dashje keni gërvishtur pjesën e sipërme të laptopit tuaj të porsa blerë dhe ja pas një kohe ai u kthye ne gjendjen e më parshme? Ose duke fshirë ca parametra nga regjistri i Windows të ndonjë aplikacioni tashme të çinstaluar nga kompjuteri juaj pa dashje keni fshirë disa vlera shumë të rëndësishëm të Windows dhe gjatë ristartimit të kompjuterit tuaj ju vëreni se kompjuteri nuk starton porse në mënyrë automatike ka filluar procesin e restaurimit! Për këto dhe shumë të tjera, në rreshtat në vijim do të njihemi sadopak me konceptin e sistemit vetëshërues si dhe situatën aktuale ne botën e hulumtimeve për të zhvilluar sisteme elektronike me veti vetëshëruese.

Çka është sistemi vetëshërues?

S’ka dyshim se përgjigja jonë e parë në këtë pyetje do të ishte se bëhet fjalë për sistemin që shëron vetën e tij pa ndihmën e njeriut. Nga këndvështrimi shkencorë, një sistem vetëshërues nuk është gjë tjetër vetëm se sistemi i cili ka një sjellje autonome apo vetëqeverisëse. Kjo do të thotë që në situatat e mosfunksionimit, sistemi të vetë-reagon në mënyrë që mbi bazën e instruksioneve të paravendosura në sistem me kapacitetin e tij ta tejkalon një situatë të tillë. Paksa e çuditshme për secilin nga ne, porse për shkencëtarët duket të jetë diçka shumë me interes por sfiduese njëkohësisht. Kështu, në laboratorët e IBM sistemi vetëshërues quhet “autonomik”, në Microsoft e quajnë “dinamik”, ndërsa në Hewlett-Packard e quajnë “i përshtatshëm” teknologji kjo që konsiderohet të jetë lider në teknologjinë e informatikës organike për zhvillimin e qendrave të të dhënave.

Figura 1: Modeli konceptual i sistemit autonomik (Wikipedia, 2010)

Figura 1: Modeli konceptual i sistemit autonomik (Wikipedia, 2010)

Teknologjia e informatikës organike

Secili nga ne në bankat e shkollës fillore ka mësuar ose po mëson aktualisht për kiminë organike dhe inorganike, por jo edhe për teknologjinë e informatikës organike! Të gjitha përpjekjet e deritanishme të shkencëtareve për të zbuluar materialet dhe metodat e realizimit të sistemeve vetë-shëruese në shkencën e teknologjisë së informatikës kanë bërë të mundur që të vendoset një disiplinë e re në këtë shkencë duke e quajtur atë Teknologjia e Informatikës Organike apo në gjuhën Angleze “Organic IT”. Gjithnjë sipas Prof. Nancy Sottos nga Universiteti i Illinois: ”materialet me veti vetë-shëruese përbëhen nga një shtresë e poliepoksidit (epoksidi i polimerit) e depozituar në një substrat i cili përmban një rrjet tredimensionale të mikrokanaleve. Shtresa e poliepoksidit përmban grimca shumë të imta të katalizatorëve, ndërsa kanalet në substrat janë të mbushur me faktorin shërues të lëngët.” Në mënyrë shumë të ngjashme, shkencëtarët në Universitetin e Wisconsin kanë arritur të përpunojnë metale me veti vetëshëruese që mund të përdoren në fushë betejë. Gjithnjë sipas tyre, i njëjti metal mund të përdoret për riparime të menjëhershme në makinat nga automobilat e deri tek turbinat e centraleve për prodhim të energjisë elektrike.

Figura 2: Procesi i vetëshërimit (HowStuffWorks, 2008)

Figura 2: Procesi i vetëshërimit (HowStuffWorks, 2008)

Koncepti im i “sistemeve vetëshëruese”

Nga data 27 e deri më 29 Shtator 2010 në Bruksel është mbajtur ICT 2010: Digitally Driven e organizuar nga Komisioni Evropian. Në këtë eveniment ka marrë pjesë edhe gjashtë fituesit e konkursit të “Western Balkan Countries ICT Idea” të organizuar nga ICT Web Proms gjatë muajit Maj 2010. Në mesin e projekt ideve të teknologjive të informatikës dhe komunikimit të përzgjedhura nga ICT Web Proms për tu prezantuar ne ICT 2010: Digitally Driven ka qenë dhe ideja ime e “sistemeve vetëshëruese” e cila ka të bëjë me hulumtimin dhe përpjekjet për të realizuar:

  • makinën për përpunim të të dhënave nga materialet vetëshëruese
  • sistemin operativ me veti vetëshëruese dhe
  • rrjetin kompjuterik me veti vetëshëruese

Qasja në realizimin e “sistemeve vetëshëruese”

Padyshim që paraqet një sfidë më vete, por që të arriturat e sotshme shkencore ofrojnë një platformë të konsiderueshme për të bërë përpjekjet në synimin e realizimit të “sistemeve vetëshëruese”.

Ne rastin e makinës për përpunim të të dhënave, ideja përkon me faktin që duke shfrytëzuar materialet e prodhuara nga poliepoksidi mundësohet realizimi i kompjuterit me veti vetëshëruese. Ky kompjuter do të imitonte lëkurën e njeriut me çka në situatat kur do të gërvishtej do të ishte në gjendje ta kthej veten ne gjendjen normale. Duhet pasur parasysh aspektin kohor “të shërimit” që varet drejt për drejt nga aftësia e reagimit të poliepoksidit.

Te sistemi operativ, ideja përkon me faktin që duke përdorur teknologjinë e strukturës së ngurtë për ruajte të të dhënave ne pllakat amë të kompjuterëve të sotëm të realizohet baza e të dhënave e cila do të regjistronte gjendjet iniciale të secilës komponentë harduerike dhe softuerike në kompjuter të domosdoshme për punë normale. Duke qenë se kjo bazë e të dhënave do punonte ne prapaskenë si proces që do të monitoronte “shëndetin” e komponentëve harduerike si dhe të programeve aplikative në kompjuter përfshi këtu edhe monitorimin e vetë sistemit operativ, atëherë në situatat e mosfunksionimit të ndonjërës nga këto komponente të inicioj procesin e identifikimit, vlerësimit dhe zgjidhjes së problemit duke e kthyer kështu komponentën në gjendje funksionale.

Kështu, arrijmë tek përpjekjet për realizmin e rrjetit kompjuterik me veti vetëshëruese që do të mundësonte qasje në shërbimet e rrjetit gjithnjë në dispozicion. Qasja e realizimit bazohet ne dy variante:

  1. Duke realizuar rrjetin kompjuterik të dyfishtë, në të cilin një rrjet është aktiv dhe tjetri pasiv por ne gjendje gatishmërie, e cila metodë do te ishte e kushtueshme.
  2. Duke përdorur materialet vetëshëruese për ndërtimin e kabllove dhe të pajisjeve për rrjet si dhe po që se do arrinim që elementin vetëshërues ta përfshinim në sistemet operative të nevojshëm për konfigurim dhe menaxhim e pajisjeve aktive të rrjeteve kompjuterike me ose pa kabllo.

Aplikimi dhe përfitimi nga “sistemet vetëshëruese”

Sot kur çdo vlerë njerëzore synohet të materializohet, padyshim që çdo ide apo propozim për sajim apo modifikim të sistemeve informative shikohet nga aspekti i përfitimit material. Mbase, edhe ideja ime për realizimin e “sistemeve vetëshëruese” do të shikohej me syrin material! Pavarësisht, po të marrim parasysh përfitimet që nxjerr njeriu nga automatizimi i pajisjeve dhe proceseve të punës përmes konceptit të “sistemeve vetëshëruese”, ne kuptimin sasior ato do të jenë të mëdha. Në rastin konkret:

  • kompjuterët (serverët, kompjuterët personal dhe çdo kategori tjetër kompjuterike) do të jenë fizikisht më të qëndrueshëm dhe më jetë gjatë,
  • sistemet operative (Windows, Mac OS, Linux dhe të tjerë) do të jenë më intuitiv, proaktiv dhe racional në procesin e punës, meqë ulin dukshëm kohën për administrim nga administratorët e sistemeve dhe
  • shërbime të rrjetit gjithnjë në dispozicion si për bizneset po ashtu edhe për individët

Po të përkthehen këto përfitime në gjuhën e biznesit modern, atëherë rritet produktiviteti duke e ulur dukshëm koston e mirëmbajtjes dhe kohën e zgjidhjes së problemeve si dhe duke e minimizuar dukshëm kohën kur nuk janë shërbimet e rrjetit në dispozicion.

Konkluzioni

Nëse disa pjesë nga teksti i sipërshënuar ju kanë bërë që ky artikull të duket si një film fantastiko-shkencorë, them që mund të jetë ashtu porse për ta kuptuar më mirë ideja nuk fletë për transformim të pajisjeve si tek filmi “Transformers”. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një koncept shumë më praktikë e i cili kur shtjellohet me gjuhën e shkencës shpjegon mundësitë, gjithnjë në sasi të caktuar dhe kufizuar të aplikimit të disa nga tipareve që posedon njeriu tek pajisjet, siç është rasti me konceptin e “sistemeve vetëshëruese”. Industria e teknologjisë së informatikës në volum të madh përpiqet dhe punon në gjetjen e metodave të aplikimit të konceptit të “sistemeve vetëshëruese” në fushën e programimit, programeve aplikative dhe sistemeve operative, dhe në volum dukshëm më të vogël në fushën e harduerit. Sa për rikujtim, gjithnjë sipas Microsoft, Action Center në Windows 7 dhe 8 përmban elemente të vetëshërimit, ose fakti që Microsoft synon që Windows 10 të jetë një sistem operativ tërësisht vetëshërues kur kemi të bëjmë me zgjidhjen e problemeve të vetë sistemit operativ. Sido që të jetë, nëse për njeriun shekuj apo dekada më parë ka qenë i pa imagjinueshëm fakti i ekzistimit të radios, televizionit, telefonit, kompjuterit dhe Internetit me të cilat pajisje dhe shërbime ne sot punojmë dhe shërbehemi; vetvetiu me bën të mendoj se koncepti i “sistemeve vetëshëruese”, e potencoj sërish në sasi të caktuar dhe kufizuar, një ditë në të ardhmen e afërt mund të jetë pjesë e pajisjeve elektronike që do ti përdorë njeriu.

Shënim: Figurat janë huazuar nga Interneti konform burimeve të paraqitura.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s