Si punon skaneri biometrik?

“Nëse intimiteti është nxjerrë jashtë ligjit, vetëm shkelësit e saj do të kenë intimitet.” – Phil Zimmermann

Në ditët e sotme, të gjithë ne po i jetojmë përfitimet e shumta që na vijnë nga pajisja e quajtur kompjuter! Pa dyshim, kompjuteri është bërë bartës kryesor i procesit të punës në shkolla, universitete, biznese, qeveri, industri, … e gjithë andej. E përdorim për të vendosur, procesuar, ruajtur, shfaqur dhe komunikuar të dhënat, funksione këto që e bëjnë kompjuterin të jetë vegël shumë praktike dhe e dobishme njëkohësisht. Me një fjalë, nuk mund të mohojmë ndikimin pozitiv të kompjuterit në jetën tonë. Përkundër të gjitha këtyre të mirave që marrim nga përdorimi i kompjuterit, njëkohësisht kjo pajisje sfidohet nga kërcënues të burimeve dhe natyrave të ndryshme, emëruesi i përbashkët i të cilëve është të vënë në rrezik sigurinë e tij (të dhënave në kompjuter). Për tu vënë në mbrojtje të kompjuterit (të dhënave në kompjuter), entuziast, profesionist dhe shkencëtarë të shumtë janë përpjekur dhe po përpiqen të gjejnë mënyra, metoda dhe vegla për të shtuar sigurinë e tij, respektivisht të të dhënave në kompjuter. Në vijim do të njihemi me skanerët biometrik si një nga teknologjitë e sotme në dispozicion për të sforcuar sigurinë e procesit të autentikimit gjatë procesit të qasjes së të dhënave në sistemet kompjuterike.

Historiku i skanerëve biometrik

Kur në vitet e 90-ta u shfaqën skanerët për regjistrimin e drejtpërdrejtë të shenjave të gishtave, ishin pajisje qe përdornin metodën e sipërfaqes së ndjeshme për të lexuar strukturën e shenjave të gishtave nga sipërfaqja e lëkurës së gishtit. Këto pajisje të hershme përdornin metodat e shëmbëlltyrës optike për të realizuar fotografimin e lëkurës së gishtave. Më pas, u përdorën mekanizma të ndryshëm të bazuar në ndjeshmëri për të detektuar strukturat në sipërfaqet e gishtave të cilat pastaj duhet të konvertohen në sinjale elektrike. Këtu u përfshinë njehsuesi infrakuq, matësi i forcës mekanike, matësi i temperaturës dhe matësi i vëllimit elektrik. Edhe pse disa nga këta mekanizma ishin të aftë të merrnin imazhet e shenjave të gishtave nga të rinjtë dhe të rriturit e shëndetshëm në ambiente të brendshme të kontrolluara, në kushte të vërteta pune të njëjtat mekanizma nuk bënin punën me sukses. Veçanërisht, nuk arrinin dot të regjistronin imazhet e shenjave të gishtave me lëkurë të thatë, me kallo të dendur, apo të lyer lehtë nga përbërësit kimik. Dështimet e natyrës së këtillë u bënë pengesë që këto pajisje të fitojnë përdorim të gjerë.

Si punon skaneri biometrik?

Identifikimi i shenjave të gishtave është proces i krahasimit të gjurmëve të diskutueshme dhe të ditura të strukturës së vargjeve të gishtave dhe shuplakës së dorës me qëllim të përcaktimit se gjurmët janë nga i njëjti gisht apo e njëjta shuplakë. Interesant është fakti që shenjat e dy gishtave ose shuplakave nuk janë kurrë tërësisht të ngjashme (në asnjë detal të tyre), siç nuk janë të ngjashëm as edhe dy regjistrime një pasnjëshme.

Skaneri biometrik, një pajisje elektronike që luan rolin e njësisë hyrëse të kompjuterit, përbëhet nga dy komponente kryesore: nga skaneri i shenjave të gishtave dhe softueri i shenjave të gishtave. Punon në principin që kërkon nga përdoruesi vendosjen e gishtit në skaner nga ku realizohet fotografimi i çastit. Kjo shëmbëlltyrë e krijuar quhet skanim i drejtpërdrejtë. Pastaj kjo shëmbëlltyrë përpunohet nga skaneri në një skemë të digjitalizuar të pikave të hollësishme (janë pikat me interes të shenjave të gishtit, siç janë skajet e degëzimeve dhe të vargjeve) për tu bartur tutje deri tek kompjuteri për të cilin është i lidhur. Softueri i shenjave të gishtave, ne rolin e pikës së fundme të procesit të këtillë të autentikimit, është i aftë të njohë dhe interpretojë hyrjen e pranuar nga skaneri i shenjave të gishtave. Kështu, kjo e dhënë e pranuar ruhet për tu përdorur pastaj për qëllimi krahasimi dhe autentikimi. Figura 1, tregon se si AuthenTec teknologji unike e bazuar në gjysmëpërçues për marrjen e shenjave të gishtave përdor sinjale te vogla të RF për të detektuar vargjet në strukturën e gishtit:

Si punon skaneri biometrik

Pavarësisht përmirësimeve në fushën e funksionalitetit, skanerët për shenjat e gishtave po përmirësohen edhe në aspektin e dizajnit. Sot, ne i hasim edhe si pjesë e integruar në tastierat e kompjuterëve PC si dhe në laptop me çka gjithnjë e më shume po bëhen pjesë standarde e konfigurimeve kompjuterike.

Teknikat e shëmbëlltyrës:

Në vijim do të shohim disa nga teknikat e shëmbëlltyrës që përdoren nga skanerët biometrik:

· Optike – përdoret platforma nga xhami në të cilën vendoset gishti nga ku pastaj realizohet shëmbëlltyra e shenjës së gishtit.

· Prekje – si rezultat i presionit qe ushtron gishti ne platformën ku është i vendosur realizohet shëmbëlltyra.

· Termike – shëmbëlltyra e shenjës së gishtit realizohet nga sensori i temperaturës.

· Vëllimore – shëmbëlltyra realizohet nga sensori i silicit për vëllim.

· Ultratingull – valët zanore mund të gjenerojnë shëmbëlltyra të ultratingullit nga struktura e gishtit.

Siguria e skanerëve biometrik:

Edhe pse skanerët biometrik ofrojnë saktësi të lartë dhe përpjekjet për mashtrimin e këtyre pajisjeve janë të vështira, realiteti dëshmon të kundërtën. Tsutomu Matsumoto, një kriptografist japonez, së bashku me studentët e tij nga Universiteti Kombëtar i Yokohama-së demonstroi se skanerët biometrik seriozisht mund të mashtrohen me një zgjuarsi të vogël dhe me ca pajisje shtëpiake në vlerë prej 10 USD. Matsumoto përdori xhelatinë, përbërës nga i cili prodhohen arushat e gomuar (Haribo). Eksperimenti i tij interesant bazohet ne faktin qe ai merr shenjat e gishtave të lënë në xham, pastaj të njëjtit i zmadhon me akrilat të cianurit për ti fotografuar me kamerë digjitale. Me anë të aplikacionit PhotoShop, ai përmirëson kontrastin e fotove të realizuara dhe të njëjtit i shtyp në letër të tejdukshme. Pastaj përmes një pllake të ndjeshme ndaj fotografive për shtypjen e qarqeve realizon shenjat e gishtave të gdhendura në bakër në formë tre dimensionale. Matsumoto provoi këtë eksperiment në njëmbëdhjetë skaner biometrik komercial dhe që të gjithë u mashtruan me sukses.

Konkluzioni:

Sa herë që duam të sigurojmë një mjedis të caktuar për ruajtjen e të dhënave me anë të autentikimit në mënyrë të shpejtë, të lehtë dhe të lirë atëherë skanerët biometrik mund të jenë zgjidhje e parë në mesin e të gjitha teknologjive të sotme për qëllime sigurie. Ashtu siç asnjë teknologji nuk është “perfekte”, edhe skanerët biometrik nuk janë të përkryer! Edhe përkundër komprometimit të pajisjeve të këtilla, përmirësimet dhe avancimet e bëra së fundi në këtë teknologji i bënë skanerët biometrik të jenë një nga pajisjet më të rekomanduara për siguri të dhënave në botën e sotme të digjitalizuar.

Shënim: Figura është huazuar nga Interneti konform burimit të paraqitur.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s