Virtualizimi ne Shekullin e 21-të!

“Gjej një punë që e donë dhe nuk të duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde.” – Konfuqio

Sipas fjalorit Merriam-Webster etimologjia e fjalës “virtual” rrjedh nga fjala latine “virtus” e që në gjuhën Angleze është përkthyer si strength, apo virtue. Gjithnjë sipas po këtij fjalori definicioni për fjalën “virtual” është: të ekzistoj në esencë apo në të vërtetë sado që formalisht nuk njihet ose pranohet. Ndërsa sipas autorit Alan Freedman në “The Computer Desktop Encyclopedia” fjala “virtual”definohet si: një mbiemër që shpreh një gjendje të pakufishme dhe pa përmbajtje. Përmes rreshtave në vijim do të shpalosim konceptin virtual gjithmonë duke e aplikuar atë në botën e teknologjisë informative të njohur me emrin virtualizim.

Na ishte njëherë…

Gjithçka filloi ne vitet e 60-ta kur IBM po eksperimentonte me sistemin IBM M44/44X. Ishin inxhinierët e IBM që për të parën herë përdorën termin “virtualizim” për të realizuar një platformë kompjuterike simuluese të quajtur “makinë virtuale” e cila përbëhej nga “softueri mikpritës” apo programi kontrollues si dhe nga “softueri mysafir.” Kështu lindi koncepti i virtualizimit me anë të së cilit u bë e mundur që në një platformë harduerike të vetme të realizohet një makinë virtuale e cila do bënte të mundur simulimin e më shumë se një softueri mysafir ku secili nga këta do të ekzekutohej në mënyrë ta pavarur nga tjetri. Si rrjedhojë e këtij inovacioni, IBM në vitin 1966 me anë të sistemeve IBM CP-40 dhe IBM CP-67 demonstroi konceptin e quajtur “virtualizim i plotë”. Në vitin 1974, në gjeneratën e tretë të makinave kompjuterike, Popek dhe Goldberg vendosen definicionin për makinën virtuale duke e quajtur atë “dublikatë efikas i izoluar i makinës reale”. Ishte kjo periudha kur kompjuterët po drejtoheshin nga qarqet e integruara të cilat më vonë do të njihen me emrin procesorë apo mikroprocesorë. Ne gjeneratën e katërt, shpikja e mikroprocesorit bëri të mundshëm prezantimin e minikompjuterëve në fund të viteve të 70-ta, të cilët pastaj do t’ua hapin rrugën mikrokompjuterëve të cilët sot i njohim me emrin Kompjuterët Personal. Të gjitha këto zbulime si dhe shumë të tjera si në aspektin harduerik ashtu edhe atë softuerik mundësuan që koncepti i virtualizimit të mos mbetet thjeshtë vetëm një koncept historik por te formësohet dhe shtrihet gjithandej botës së teknologjisë informative si në: rrjetet kompjuterike (virtualizimi i rrjeteve kompjuterike), në sistemet operative (virtualizimi i kujtesës), në aplikacione softuerike (virtualizimi i aplikacioneve), në teknologjitë për ruajtjen e të dhënave (virtualizimi i disqeve), etj (shih Figurën 1).

Figura 1

Metodat e virtualizimit (të serverëve)

Në ditët e stome, në përgjithësi njihen tri metoda të implementimit të virtualizimit te serverëve:

1. Emulacioni i sistemit operativ – mundësia e ekzekutimit të izoluar dhe të sigurt të një apo më shumë sistemeve operative në një server fizik të vetëm në të cilin softuerët mysafirë përdorin resurset të njëjtin softuer mikpritës. Disa nga aplikacionet për virtualizim të këtillë janë: Solaris Containers, SWsoft, etj.

2. Emulacioni i harduerit – mundëson fshehjen e karakteristikave fizike te sistemit kompjuterik nga përdoruesit duke e shfaqur një platformë tjetër abstrakte me qëllim që të ekzekuton softuerin në një mjedis të ndarë nga resurset harduerike thelbësore. Aplikacionet me të shquara për emulacion të harduerit janë: VMware Server dhe MS Virtual Server.

3. Paravirtualizimi – është metodë e virtualizimit në të cilin ofrohet ndërfaqës softuerik për makinën virtuale e cila nuk simulon harduerin por ofron API të posaçëm për të modifikuar softuerin mysafir. Vlen të përmenden këtu aplikacionet për virtualizim si: Xen, VMware ESX, etj.

Dobitë nga virtualizimi

Si për individët e po ashtu edhe për bizneset virtualizimi sjell dobi të mëdha. Disa nga dobitë e përdorimit të virtualizimit për të realizuar sisteme informative qoftë për nevoja personale apo biznesi janë me sa vijojnë:

Kostoja: konsiderohet si një nga përfitimet më të mëdha nga virtualizimi sidomos për bizneset por pa anashkaluar këtu edhe individët që preferojnë mjedise kompjuterike të virtualizuara. Në vend të blerjes të dhjetëra serverëve fizik, biznesi përfundon së bleri vetëm një apo disa nga ta (shih Figurën 2).

– Zhvillimi: duke qenë se aplikacionet dhe veglëritë për zhvillim ndodhen ne një serverë fizikë atëherë një mjedis i tillë zhvillues falë virtualizimit bëhet më fleksibil dhe i arsyeshëm.

Figura 2

Të metat e virtualizimit

Të gjithë ata që tashmë kanë përvojë me virtualizim janë të njohur mirë me të metat e virtualizimit. Në përgjithësi, në botën e biznesit të metat e virtualizimit shikohen nga dy aspekte:

Shkallëzimi: rritja e shërbimeve në raport me zgjerimin e biznesit vë në sprovë shkallëzimin e mjedisi virtual me çka gjithnjë kërkohet që të jemi largpamës gjatë sajimit të mjedisit virtual.

– Siguria: duke qenë se sistemet operative ekzekutohen në format të izoluar dhe të sigurt atëherë konsiderohet të ketë siguri të shtresuar ne mjediset e virtualizuara, por shqetësimi vazhdon të mbetet tek situata kur një makinë virtuale “arratiset” nga mjedisi i izoluar virtual dhe vendos komunikimin me softuerin mikpritës atëherë ekziston mundësia që po që se sulmuesi tashmë ka marrë kontrollin e softuerit mysafir fare lehtë mund të mënjanon elementet e sigurisë në softuerin mikpritës dhe të shkelë edhe sigurinë e makinave tjera virtuale.

Konkluzioni: virtualizimi dhe e ardhmja e tij

Është interesant fakti qe njerëzimi ka përfituar shumë nga inovacionet e inxhinierëve te IBM. Ashtu siç ka ndodhur me kompjuterët personal e njëjta mund të thuhet edhe për virtualizimin. Ide kjo e themeluar enkas për kompjuterët mainframe te IBM me kalimin e viteve mori përmasa shumëdimensionale në fushën e teknologjisë informative saqë sot është bërë pjesë integrale e bizneseve. Edhe përkundër faktit që kërkohet harduer më i fuqishëm, konsum më i madh i energjisë, numër më i madh i sistemeve për ftohje, hapësirë më e madhe për ruajtjen e të dhënave, procesorë më të shpejtë, kujtesë më e madhe, ndërfaqës të shumtë të rrjetit, si dhe karakterizohen me shkallëzim të ngadaltë dhe siguri të luhatshme duke qenë se tashmë ekzistojnë raste të shkeljes së sigurisë të mjediseve të virtualizuara; sërish virtualizimi mbetet zgjedhja Nr. 1 e bizneseve kur bëhet fjalë për realizim te sistemeve informative me qëllim të ofrimit të shërbimeve në rrjet. Të thuhet se është kostoja ajo që i detyron bizneset te bëjnë një zgjedhje të këtillë, duket sikur nuk paraqet një argument të fuqishëm për këtë pohim! Vlen të përmendet, se virtualizimi gjatë gjithë këtyre dekadave dhe viteve dëshmoi se din te shtynë përpara proceset e biznesit, ne veçanti të krijon platformë të shëndoshë për teknologjitë qe do vijnë. Një nga ato teknologji qe po priten me shume kureshtje nga bizneset është edhe “cloud computing”. Kjo bën që e ardhmja e virtualizimit të jetë më se e garantuar!

Shënim: Figurat janë huazuar nga Interneti konform burimeve të paraqitura.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s